Për zgjidhje të qëndrueshme dhe kundër ndarjes së Kosovës

Presidenti serb, Boris Tadiq është shprehur “i sigurt” që pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të krijohet mundësia e vazhdimit të bisedimeve të Beogradit dhe Prishtinës për arritjen e një kompromisi dhe të një zgjidhjeje të qëndrueshme të statusit të Kosovës.
“Për mua, një zgjidhje kompromisi nuk është që dikush të marrë të gjitha, ndërsa pala tjetër të humbasë të gjitha”, ka thënë Tadiq duke u përgjigjur në pyetjet pas një ligjërate në Universitetin Kolumbia të New Yorkut.
Sipas tij, serbët që jetojnë në Kosovë janë në "rrezik" dhe se situata është shumë e "rëndë". "Kjo nuk është zgjidhje. Serbia është e gatshme për kompromis", ka thënë Tadiq, i cili ka hedhur poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës.
I pyetur se a do t'u kërkojë falje shqiptarëve të Kosovës për krimet e kryera më 1998 e 1999, Tadiq ka thënë se është i vetmi president në rajon që u ka kërkuar falje popujve të tjerë për krime. Ai tha se u ka kërkuar falje boshnjakëve dhe kroatëve. "Këtë e kam e bërë edhe ndaj shqiptarëve të Kosovës, sepse respektoj të tjerët dhe pres që ata të fillojnë të respektojnë serbët", ka thënë Tadiq. |